ASH: BDI në 17 vjetorin e saj dukej me kokë të ulur dhe fytyrë të zymtë!

Nga partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët nëpërmes një kumtese thonë se datat e festave të ditëlindjeve dhe përvjetorëve përbëjnë gëzim, por kjo nuk ndodhi në përvjetorin e 17 të BDI-së.

“Fytyra të zymta u panë në atë takim të BDI-së e cila disa herë me ftesa speciale kishte ftuar zyrtarët dhe aktivistet e tyre, të cilët nuk i ishin përgjigjur ftesës.

Publikimi i përgjimeve të fundit të kreut të BDI-së, si duket i kishin befasuar dhe demoralizuar vetë aktivistët e BDI të cilët patën rastin ta dëgjojnë liderin e tyre ndryshe nga ajo që e kishin dëgjuar më parë, por me fytyrë të vërtetë”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqiptarët.

Nga atje thonë se është e vështirë që sot lideri i BDI, Ali Ahmeti ta paraqesë më të ardhmen e BDI-së për 20 vitet e ardhshme ashtu siç pretendojnë ta bëjnë atë, sepse vetë i kanë ditët e numëruara në politikë.

Nga partia opozitare shtojnë se BDI sot dukej më e lodhur se kurrë, e vetmuar karshi popullit, sot ajo shikohet me frikë, sot ajo po kalon krizën më të rëndë politike, sepse është vetë goditur në moralin e saj të funksionimit dhe të politik bërjes.