Dërgohen për ekspertizë zarfi dhe fotografia e publikuar nga Brovina, rezultati pritet gjatë javës

Zarfin dhe fotografinë me të cilën deputetja e PDK-së, Flora Brovina, pretendon se e kishte pranuar nga një zyrtare e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, së fundi Prokuroria Speciale e ka dërguar për ekspertizë.

Rezultati i ekspertizës, siç i është thënë “Kohës Ditore”, do të dihet brenda kësaj jave.

Me datën 16 të muajit të kaluar, në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, deputetja Brovina ka shkaktuar skandal me një fotografi, për të cilën ka thënë se është pamje e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë, vërtetësia e së cilës u vu në dyshim.

Pak orë pasi Brovina e ka treguar fotografinë para gazetarëve të mbledhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, media të ndryshme, përfshirë portalin koha.net, raportuan për ueb-faqe irakiane që kishin fotografi që dukej e njëjtë, e që diku thuhej se ishte “dëshmi” për krimet e forcave amerikane ndaj grave në Irak, e diku prezantohej thjesht si një aktrim pornografik.

Edhe pas dyshimeve të ngritura, deputetja Brovina ka insistuar se fotografia është nga lufta e fundit në Kosovë, dhe se atë e posedon nga viti 2003 apo 2004.

“Unë e di vendin e ngjarjes ku ka ndodhur, por nuk e bëj publike, sikurse edhe fytyrat që nuk keni mundur t’i identifikoni, sepse janë të fshehura, gjë që është diskrecioni, por e vërteta nuk duhet të fshihet”, ka thënë Brovina, teksa ka shtuar se një gjë të tillë do ta bënte publike vetëm para prokurores, por jo para opinionit.