Përleshje fizike në Komunën e Skenderajt

Behram Jashari, kushëriri i kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, shkoi sot në zyrat e Komunës për të aplikuar për një subvencion. Por, aty thotë se nuk u u lejua t’i dorëzojë dokumentet nga Sokol Sallahu që është drejtor për Bujqësi. Madje, Jashari akuzon Sallahun edhe për sulm dhe për pasojë thotë se edhe janë përleshur. Drejtori Sallahu mohon këtë. Ai për Gazetën Express jep një version tjetër duke thënë se Behrami është me të meta mendore. Policia e cila është lajmëruar pas incidentit rastin e ka cilësuar si “pengim në detyrë”.

Mëngjesin e sotëm, kushëriri i Bekim Jasharit, kryetarit të Komunës së Skenderajt, shkoi në komunë për të aplikuar për subvencione.

Behram Jashari thotë se ka arritur në komunë rreth orës 08:20 minuta, derisa menjëherë ka vazhduar për të kryer procedurat që i nevojiteshin për të dorëzuar dokumentet.

Mirëpo, sipas tij, edhe pse nuk ishte në zyrën e drejtorit të Bujqësisë, Sokol Sallahut, i njëjti kishte shkuar aty ku Jashari po dorëzonte dokumentet dhe e kishte kërcënuar duke mos e lënë që t’i dorëzojë ato. Përleshja, sipas tij, ka eskaluar edhe në fyerje e dhunë fizike.

“Kam shku sot me apliku sot në drejtorinë e Bujqësisë në Skenderaj për subvencione kam has një problem me drejtorin e Bujqësisë.  Unë shkova me i dërgu dokumentet ai hini si me hyxhym tha nuk banë me ja marrë dokumentet me apliku. Tha s’ban pse s’po du unë, edhe më murr hyxhym me më ra, jemi kacafytë. Ka pas përleshje fizike ai me mu. Nuk e lash me më godit se ja kapa duart, po ai provojke me më godit”, thotë Jashari në një bisedë për Gazetën Express.

Tutje, ai shpjegon se sipas tij ishte drejtori ai që kishte ardhur në zyre të punëtorëve duke e kërcënuar edhe se për të njëjtën do ta lajmërojë kryetarin Bekim Jashari. Ai ka thënë se drejtori i Komunës së Skenderajt ia ka bërë edhe disa kërcënime.

“I thash në hanë shko, jeni mësu me i rreh njerëzit nëpër zyre nëpër sene po te unë jo valla harroje. Më tha që më ngreh zhag, i kamë thënë se janë mësu zhag le t’i ngrehin këta tjerët. Kërcënim më ka bo”, shton tutje.

Behrami nga Komuna u dërgua për në polici, derisa aty edhe dha një deklaratë. Sipas tij, i është bërë edhe një kërcënim me e tërheqë padinë.

“Në polici është rasti i lajmërum, më thanë që ai është i interesuar me e hjekë po unë du me i shku deri në fund. Unë në zyre të tij s’jam kanë nxjerrni kamerat e këtë punë du me e ndjekë deri në fund”, shton tutje.

Jashari thotë se e ka dorën të lënduar nga përleshja që sipas tij  ka ndodhur e se të njëjtën e kanë parandaluar punëtorët.

Sipas tij kjo mund të ketë ndodhur pasi që i njëjti kishte dhënë një intervistë në T7 duke thënë se nuk do të kalonte në partinë e Bekim Jasharit, nëse i njëjti do të krijonte një të tillë.