Haradinaj: Kosova ka pasur fat që në rrugëtimin e saj historik ka vendosur partneritet strategjik me ShBA-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim një delegacion të drejtuesve dhe profesorëve nga James Madison University dhe Mercer University, të cilët po qëndrojnë në vend për konferencën dyditore “Nga Paqja në Prosperitet- Transformimi i Shoqërisë Kosovare përmes Lidershipit të mirë”, organizuar nga Fondacioni për Lidership, mbështetur nga Ministria e Arsimit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane.


Kryeministri Haradinaj falënderoi profesorët e këtyre universiteteve të njohura për organizimin e kësaj konference, që ka për qëllim ngritjen e njohurive të lidershipit dhe menaxhmentit si dhe zhvillimit të mëtejshëm të shkathtësive.


“Kosova ka pasur fat që në rrugëtimin e saj historik ka vendosur partneritet strategjik me ShBA-në. Mbështetja në shkollimin e të rinjve tanë është një nga fushat kyçe që Qeveria e vendit është e përkushtuar ta vazhdojë këtë bashkëpunim”, tha kryeministri Haradinaj.


Kryeministri Haradinaj shprehu vullnetin dhe gatishmërinë, që kjo eksperiencë të shndërrohet në rrugë afatgjate të bashkëpunimit, duke ua mundësuar fëmijëve tanë, shkollimin cilësor dhe praktikat më të avancuara të lidershipit.


Nga ana e tyre, delegacioni i drejtuesve dhe profesorëve nga James Madison University dhe Mercer University, e falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për thellim të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.