Mustafa përkujton veprimtaren e shumëvjeçare të LDK-së, Nekibe Kelmendin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton nënkryetaren e LDK-së, veprimtaren Nekibe Kelmendi, në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta.

“Nekibe Kelmendi ishte intelektuale dhe veprimtare e dalluar, që përkundër sfidave të mëdha e deshi shumë Kosovën dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e saj.

Nekibes në shenjë hakmarrjeje për veprimtarinë atdhetare, okupatori serb ia masakroi bashkëshortin, Bajram Kelmendin dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin. Mbi këtë dhimbje të madhe ajo kultivoi idealin e shtetit të pavarur dhe demokratik.

Nekibja ishte personalitet i kompletuar, e cila në kohët më të vështira për Kosovën u shndërrua në simbol të sakrificës dhe përkushtimin të gruas së fuqishme kosovare për të dhënë gjithçka për vendin.

Nekibja ishte grua që kishte durim dhe guxim për të shprehur qartë qëndrimet e saj.

Sot, me Nekiben përkujtojmë të gjitha gratë dhe veprimtaret tona kosovare që përkundër rezistencës së madhe në jetën e tyre, veprimtarinë ia kushtuan shtetndërtimit tonë”.

Ndërkaq, anëtarë të Kryesisë, deputetë, zyrtarë të LDK-së dhe familjarë kanë bërë homazhe sot, te varri i nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi.

Në tetë vjetorin e vdekjes, për veprimtarinë e saj në emër të Kryesisë, ka folur sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Beqiri ka vlerësuar me admirim gjithë veprimtarinë e saj politike dhe atdhetare duke e cilësuar si zonjë të hekurt.

“Nekibja ishte nënkryetare e LDK-së, deputete e jona dhe ministre e cila përveç gjithë kontributit të saj në shërbim dhe ndërtim të shtetit të Kosovës, këtij vendi ia dha edhe burrin dhe dy djemtë e saj.

Ishte shembull i punës dhe përkushtimit për LDK-në, Kosovën dhe qytetarët e saj.

Familja Kelmendi ishin luftëtarë që iu përkushtuan lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit tonë. Ndihet mungesë e madhe jo vetëm në LDK, por edhe në të gjitha institucionet tona”, tha ndër të tjerash z. Beqiri.

Nekibe Kelmendi ndërroi jetë më 19 qershor 2011, pas një sëmundje të shkurtër.