Lituania pro heqjes së vizave për Kosovën, Finlanda e rezervuar

Andrius Kalindra, nga Ministria e Jashtme e Lituanisë, i ka thënë “Zërit” se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa Virpi Kankare, nga Ministria e Jashtme e Finlandës, shtet ky që nga fillimi i këtij muajit e ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, i ka thënë gazetës se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e të gjitha kritereve.

Shtetet e Bashkimit Evropian (BE) po vazhdojnë të mos jenë me një zë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Gjersa disa prej tyre e mbështesin heqjen e vizave, një numër i caktuar i shteteve që janë pjesë e BE-së nuk po lëvizin ende nga pozicioni i deritanishëm – kundër vizave.

Zyrtarë të lartë të Finlandës, shtet ky i cili më 1 korrik të këtij viti ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, kanë thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e kritereve të vëna, kurse vendimi final për këtë proces varet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Ndërkohë, meqë Britania e Madhe nuk është pjesë e Zonës Shengen, zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë thënë se ky shtet nuk merr pjesë në vendimet që lidhen me liberalizimin.