Izet Miftari historiani më aktiv

Shkruan: Fazli Muharremi

Këtyre ditëve në komunën e Vushtrrisë po mbahen aktivitete të shumta në kuadër të “Ditët e Diasporës”. Historian i Vushtrrisë, z. Izet Miftari, do të hap përsëri ekspozitën “Trojet shqiptare nëpër harta historike”. Këto harta (mbi 40 harta) janë interesante dhe përfshijnë periudhën nga antika deri më 1945. Në këto harta, vizitorët mund të shohin se si kanë qenë dikur të ndara e pushtuara trojet shqiptare, por në të njëjtën kohë mund të shohin se edhe deri ku janë shtrirë trojet iliro – arbërore. Gjithashtu, mund të kuptojnë se si kanë qenë të ndara në aspektin administrativ. Hartat janë të punuar me madhësi 80 x 50 cm. Ekspozita hapet më 18.07.2019, ora 20:00, në Klanaë e Qytetit (Kulla), dhe mbetet e hapur deri më 28.07.2019.

Izet Miftari, më 22.07.2019, do të mbrojë temën e doktoratës me titull “Rrethanat fetare dhe kulturore në Vilajetin e Kosovës nga gjysma e shekullit XIX deri më 1912”. Mentor të temës ka Prof.dr. Muhamet Malën. Tema mbrohet në Fakultetin Filozofik, dhe fillon në ora 11:00.

Është një temë interesante, që përfshinë një periudhë komplekse, kur përcaktohej e ardhmja e shqiptarëve. Studiuesi i historisë, për të përgatitur disertacionin, ka bërë hulumtime sistematike shkencore nëpër institucione kërkimore – shkencore. Në shkrimin e bërë në profilin e tij në facebook, z. Miftari ka publikua edhe abstraktin e temës, që mund ta lexoni në vijim:

“Tema e doktoratës me titull: Rrethanat fetare dhe kulturore në Vilajetin e Kosovës nga gjysma e shekullit XIX deri më 1912, është një punim studimor shkencor, që shtjellon dhe analizon rrethanat fetare dhe kulturore (më shumë hapja dhe funksionimi i shkollave) në Vilajetin e Kosovës, me theks të veçantë që nga formimi i tij, më 1877, e deri më 1912.

Për këtë çështje komplekse, me rëndësi për shkencën e historisë, e posaçërisht për popullin shqiptar në Kosovë, është shkruar në vija të trasha në punime të ndryshme nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, por nuk është trajtuar në mënyrë të veçantë, pa anime dhe me shfrytëzim të kujdesshëm të burimeve dhe të literaturës që na njoftojnë për temën e doktoratës në fjalë. Sferën fetare të popullit shqiptar në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti, studiuesit serbë dhe disa të tjerë të huaj, vazhdimisht janë munduar dhe mundohen ta shtrembërojnë, me qëllim që të realizohen interesat dhe qëllimet e politikës ditore.

Nuk qëndron konstatimi i disa studiuesve të shkencave shoqërore, veçanërisht i atyre serbë, se në Vilajetin e Kosovës gjendja fetare, konkretisht e të krishterëve ortodoksë, ka qenë e rëndë, çfarë jemi mësuar ta dëgjojmë dhe lexojmë nga publikimet klishe dhe që janë bërë stereotipe, pak a shumë të kopjuara dhe të përshkruara nga njëri tek tjetri historian. Toleranca ndërfetare dhe kujdesi ndaj objekteve fetare në Vilajetin e Kosovës ka qenë në nivel shumë të mirë. Tashmë është e njohur se shumë kisha dhe manastire ortodokse në Kosovë i kanë ruajtur pikërisht shqiptarët e besimit mysliman”.