Vuçiqi paralajmëron rritje pagash e pensionesh për të punësuarit në “sistemin serb në Kosovë”

Gjithë çfarë mund të ndihmojmë, do të ndihmoujmë, ka deklaruar sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari në lidhje me pozitën e rëndë “në nivel të mbijetesës” të serbëve në Kosovë e Metohi, duke paralajmëruar kështu “rritjen e sërishme të pagave e të pensioneve për të gjithë njerëzit që punojnë në sistemin serb në Kosovë e Metohi”, bën të ditur portali serb KoSSev, transmeton Koha.net.

Gazetarja e TV Most në veri pasi ka renditur se “Haradinaj u mor në pyetje, u mor në pyetje Krasniqi, Haradinajt iu ndalua të bëjë publike hollësi. Mediat e Prishtinës paralajmërojnë edhe dhjetë ftesa për Hagë për të premtën. A do të ketë drejtësi për serbët? Provokimet e Prishtinës nuk kanë fund. Është arrestuar Stanishiqi, është rrahur Todoroviqi, është shoqëruar në Gjilan. Serbët ju besojnë pafundësisht. Edhe sa mund të durohet?” ka pyetur ajo.

Vuçiq është përgjigjur: “Ne serbët duhet ta përballojmë këtë”, pa u marrë me pyetjet konkrete të gazetares.”Duhet të durojmë dhe të kuptojmë se loti ynë është jetim dhe nuk do të gjejë prindërit në botë”, është përgjigjur poetikisht Vuçiq.