Lajme 

Frika nga drejtësia, të paktën 10 veteranë të rrejshëm largohen vullnetarisht nga listat

Gjykatat e Kosovës i kanë shpeshtuar dënimet për personat që në emër të luftës së UÇK-së, morën fonde si veteranë pa qenë fare pjesë e kësaj force.

Vetëm sot, Gjykata e Pejës ka shqiptuar dy dënime me burg dhe gjobë për dy të akuzuar për veprën e lartëcekur penale, ku të pandehur ishin një grua dhe një burrë, shkruan lajmi.net.

Gati 20 mijë persona dyshohet se janë futur jashtëligjshëm në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ku ata i kushtojnë dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

E ky numër nga dita në ditë po shkon duke u zvogëluar.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Faik Zogaj për lajmi.net po thotë të ketë nisur një iniciativë që t’i bindë të largohen nga listat, personat të cilët nuk e meritojnë statusin e veteranit.

Ai thotë se deri tani, nga listat janë larguar gjithësej 6 persona me vetëdëshirë.

“Ne kemi filluar fushatën për t’i larguar nga listat për shkak se e kemi pritur prokurorinë që 3 vite. Fushatën e kemi nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, me qejf dhe jo më dhunë ta bindim edhe personin e gjashtë. Në këtë muaj pra gjashtë persona janë larguar vullnetarisht. Sonte besoj që edhe  personi i shtatë të bindet për t’u larguar. Këtu na ka dhënë mbështetje edhe Prokuroria e Pejës. Pra për të shpëtuar nga ndjekja penale ata po largohen vetë”, ka thënë Zogaj për lajmi.net.

Zogaj po ashtu ka thënë se personat që do të largohen nga listat e veteranëve, nuk do ta ngarkojnë më buxhetin e shtetit.

Mirëpo, buxhetit të shtetit i shtjerren mjaftë para edhe nga numri aktual i veteranëve.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, llogaritet se 40 milionë euro janë shpenzuar për këtë kategori.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial