Përse Beogradi nuk e do zgjidhjen përfundimtare të konfliktit me Kosovën?

Serbisë nuk i intereson asnjë lloj dialogu për marrëveshje përfundimtare

Skënder Hyseni ka udhëtuar për në SHBA dhe pret takime në Departamentin e Shtetit e Shtëpinë e Bardhë lidhur me atë që ai e quan rekordim të qëndrimeve sa i përket dialogut me Serbinë. Kjo vjen menjëherë pas bisedave midis tij dhe koordinatorit serb, Gjuriq, në Bruksel lidhur me këtë temë në praninë e Mirosllav Lajçak. Nga ajo që këmi mësuar rreth takimit të së enjtes në Bruksel shohim se kemi qasje të ndryshme, madje të kundërta midis palëve. Hyseni thoshte pas takimit se “Po negociojmë elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme, e cila në fund do të jetë marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe që patjetër duhet të rezultojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë- Serbi që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke, njohje të ndërsjellë”.

Vini re: Që nënkupton!!! Do ishte e dobishme që negociatorët e Kosovës të mos u besojnë nënkuptimeve. Me nënkuptime Thaçi e pati nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë që në vitin 2013 dhe disa herë tjera pas 2013-ës! Ndërsa Gjuriq demanton deklaratën dhe nënkuptimin e Skënderit, kur thotë se se ai i tha Hysenit në fytyrë se ishte “lodhur duke dëgjuar gënjeshtra për negociatat për pavarësinë e Kosovës dhe një marrëveshje që do të rezultojë në atë që ju ëndërroni”. Kjo do të thotë se koordinatori i qeverisë së Kosovës (në fakt i presidentit) do ta vazhdojë taktikën intriguese dhe mashtruese të shefit të tij, Thaçit, për t’i gënbjyer qytetarët e Kosovës për atë çfarë ndodh në kulisat e këtyre bisedimeve. Ndaj dhe unë dyshoj edhe për vizitën që Skënder Hyseni po bën në Uashington.

Sinqerisht nuk dyshoj për qëndrimin amerikan. Por kam dronë se Hyseni, njësoj si Thaçi, shkon në SHBA për t’i garantuar autoritetet amerikane se “Kosova është ë gatshme” për çdo lloj marrëveshje me Serbinë, edhe nëse ajo është e dëmshme për shtetësinë ose integritetin territorial të Kosovës. Mashtruesit në politikë nuk kanë asnjë parim tjetër, veç pushtetit! Hyseni thotë se nëse njohja nuk do të jetë fundi, “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë. Ose për cdo gjë, ose për asgjë”. “Me palën serbe është duke u negociuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse”. Por përsëri partneri i tij në dialog, Gjuriq, demanton. Ai thotë se po bisedohet vetëm për kthimin e serbëve në Kosovë dhe liberalizimin e tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike. “Pozita jonë lidhur me këtë çështje është shumë e qartë – ne mendojmë se duhet të liberalizojmë lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve dhe se është e nevojshme të definohen projektet kyçe infrastrukturore të cilat duhet te realizohen për t’i përshpejtuar këto lëvizje, siç janë autostrada, hekurudhat”, thekson Gjuriq. Kurse Vuçiç nga Beogradi vlerëson se vendi i tij duhet të përgatitet për vendime të vështira, duke u zotuar se do të ruajë interesin e Serbisë në raport me Kosovën.

Nga e gjithë kjo lojë fjalësh, në fund të fundit del një përfundim: Ndërsa Serbia dëshiron të bisedojë dhe të avancojë marrëdhëniet ekonomike e të mos flasë për marrëdhëniet politike, pra për marrëveshjen përfundimtare, Kosova dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse me përfundim njohjen reciproke. Janë dy qëndrime krejt të kundërta, të cilat nuk japin asnjë shenjë se pajtimi përfundimtar të duket gjëkundi. Kjo taktikë më kujtoi një konferencë shtypi të të ngarkuarit me Punë të Serbisë në Shqipëri në fillim të vitit 1996. Diplomati serb në atë kohë thirri një konferencë për shtyp. Nga gazeta Albania shkova unë dhe një kolegu im i nderuar, Gavrosh Levonja.

Në atë konferencë për shtyp u fol për gatishmërinë e Serbisë për marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë. Por nuk u tha asnjë fjalë për marrëdhëniet politike midis dy vendeve. Beogradi donte hapjen e vendit të tij me Shqipërinë në pikëpamje të qarkullimit të lirë të mallrave e njerëzve, por jo diskutime politike, në të cilat përfshihej çeshtja e Kosovës. Ishte koha pas Dayton-nit, pra koha e Milosheviçit. E njëjta situatë përsëritet sot në rastin e bisedimeve me Kosovën nën drejtimin e ministrit të Milosheviçit, Vuçiç. Por presidenti i sotëm i Serbisë ka avancuar shumë. Me Shqipërinë e Edi Ramës ka përputhje të plotë mendimesh e qëndrimesh jo vetëm për marrëdhëniet politike e ekonomike midis dy vendeve, por edhe sa i përket Kosovës. Tani për Kosovën Beogradi ka për synim tërheqjen e Prishtinës në iniciativat e Serbisë dhe të Tiranës zyrtare të krijimit të asaj hapësirë që quhet Shëngeni Ballkanik, pa hyrë në temat politike të diskutimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, aq më pak të çeshtjes së njohjes së Kosovës.

Mesa duket në këtë moment qeverisë së Serbisë nuk i intereson asnjë lloj dialogu për marrëveshje përfundimtare. Serbët presin ditë më të mira për ta, me qëllim realizimin e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve. Por çfarë pritet nga këto bisedime? Lajçak thotë se ato do të vazhdojnë në fund të muajit gusht. Sipas deklarimeve, duket se nuk do të ketë një përmbyllje të shpejtë të tyre. Vetëm nëse vjen ndonjë ofertë e papritur nga Brukseli për Beogradin në çeshtjen e integrimeve. Atëherë mundet. Ndryshe, liderët serbë do të zgjidhnin për dy-tri vite statuskuonë me idenë e një kohe më të favorshme për ta. Statuskuoja e zgjat gjithashtu periudhën e qëndrimit në pushtet të Vuçiç.

Pa zgjidhjen e konfliktit me Kosovën europianët nuk janë të gatshëm të kërkojnë me ngulm demokratzizimin e njëmendshëm të Serbisë. Kjo do të thotë se autoritari Vuçiç do ta shfrytëzojë këtë fakt për ta zgjatur në kohë zgjidhjen e konfliktit në fjalë.

Fitore H

Read Previous

Zaimi: Vetëm Vetëvendosje mund të prodhonjë një dialog dhe një marrëveshje legjitime me Serbinë

Read Next

Paralajmërohet rënie e të hyrave buxhetore për vitin 2020


Warning: Unknown: write failed: No space left on device (28) in Unknown on line 0

Warning: Unknown: Failed to write session data (files). Please verify that the current setting of session.save_path is correct (/srv/users/serverpilot/tmp/vizioni) in Unknown on line 0