Rumunët s’kthejnë përgjigje, Ministria do t’u shkruaj edhe një herë për rastin e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit

Ministria e Drejtësisë së Kosovës shumë shpejt do t’iu drejtojë edhe një shkresë autoriteteve rumune për të marrë detaje lidhur me procesin e hetimeve që po bën shteti rumun për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit. Një kërkesë e tillë u ishte përcjellë atyre edhe në shkurt të këtij viti, por të njëjtit nuk u kanë kthyer përgjigje autoriteteve kosovare, raporton Express.

17 ditë pas përvjetorit të 13’të të vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, Ministria e Drejtësisë së Kosovës i ishte drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, për të marrë detaje lidhur me procesin e hetimeve për vrasjen e dy protestuesve.

Por, ndonëse janë bërë më shumë se dy muaj prej kur është përcjellë një kërkesë e tillë, autoritetet kosovare ende s’kanë marrë përgjigje.

Shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Blerim Sallahu, i ka thënë Gazetës Express se deri tani nuk kanë ndonjë informacion nëse është marrë ndonjë vendim për këtë rast, meqenëse nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje nga autoritetet rumune.  

“Deri më sot nuk kemi marrë përgjigje nga autoritetet rumune lidhur me rastin në fjalë. Rrjedhimisht, deri më tani nuk kemi informacione nëse autoritetet rumune kanë marrë ndonjë vendim lidhur me rastin konkret”, ka thënë Sallahu.

Ai ka treguar se do t’iu drejtojnë edhe një shkresë autoriteteve rumune për të kërkuar informata rreth procedurës së zhvilluar.

“Ne, së shpejti do ta dërgojmë shkresën e dytë autoriteteve rumune për të kërkuar informata rreth procedurës së zhvilluar pranë organeve gjyqësore rumune për sa i përket vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit në protestën e datës 10 shkurt 2007, në Prishtinë”, thuhet në përgjigjet e Sallahut drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë e Kosovës më 27 shkurt ishte drejtuar me kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë për të marrë detaje lidhur me procesin e hetimeve për vrasjen e dy protestuesve.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria e Drejtësisë kishte bërë me dije se është e interesuar që nga institucionet e drejtësisë rumune të njoftohet nëse është marrë vendimi përfundimtar për këtë rast që ka nisur në vitin 2009.

“Sot, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë për t’u njoftuar në lidhje me arritjet në procesin e hetimeve që shteti rumun po bën në kuadër të hetimeve për vrasjen e dy protestuesve, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, në Prishtinë, në protestën e 10 shkurtit 2007, në të cilën u përfshinë policë rumun në kuadër të forcave policore të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, thuhej në njoftim.

Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba goma nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

Lidhur me vrasjen e këtyre dy aktivistëve, një kallëzim penal ishte ngritur ndaj ish-komisionerit të Policisë së Unmikut, Stephen Curtis, por edhe ndaj komandantëve të njësive policore të angazhuar në këtë protestë./Gazeta Express

Fitore H

Read Previous

Fotografi i cili iu kërkoi fqinjëve të pozonin te dyert e shtëpisë së tyre kinse po dalin diku

Read Next

Kur do ta marrin shumën tjetër prej 170 euro punëtorët e sektorit privat