Shkaqet e fitimit të bereqetit

Njeriu në këtë botë lakmon fort që t’i shtohet jeta, t’i shtohet në kohë, në pasuri, në fëmijë dhe në të gjitha të dashurat e tij, të cilat ai mendon se janë shkak i lumturisë së tij në dunja. Prandaj muslimani i lutet Allahut që ta bekojë dhe po ashtu Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kërkonte prej Allahut ta bekojë në shumë çështje. Me bekim (bereqet) nënkuptojmë zbritjen e mirësisë hyjnore në ndonjë gjë. Zbritja e saj jep fryte madhështore, pakicën e shton, shumicën e bën të dobishme, ndërsa prej fryteve më të mëdha të bekimit në të gjitha çështjet është përdorimi i tij në adhurimet ndaj Allahut.Kush analizon rreth gjendjes së njerëzve të mirë dhe dijetarëve të dalluar do ta vëren dukshëm bereqetin në jetën e tyre. E sheh ndonjërin i cili ka të hyra materiale si të tjerët, se si Allahu i dërgon bereqet në pasuri, nuk shpenzon pa mos pasur dobi dhe gjendja e tij është stabile pa borxhe. E sheh tjetrin se si Allahu i çon bereqet në vajzën e tij, e respekton prindin, e mbron nderin dhe kur të martohet i lind nipa të cilët i bëhen kënaqësia e syve të tij. E sheh tjetrin se si kohën e tij e shfrytëzon në adhurime dhe në vepra të dobishme, sikurse orët e ditës së tij të jenë më të gjata se sa orët dhe ditët e njerëzve tjerë.Në anën tjetër medito gjendjen e atyre të cilëve Allahu nuk u zbret bereqet. E sheh ndonjërin se si posedon miliona, mirëpo ditën e sheh të pikëlluar dhe të lodhur, e natën nuk bën gjumë duke llogaritur dhe duke menduar për pasurinë e tij. E sheh tjetrin se si posedon makinë luksoze, mirëpo është vizitor i shpeshtë i automekanikut, sa del prej te njëri hyn tek tjetri. E sheh tjetrin se është prind i shumë fëmijëve, mirëpo ata i gjen armik të prindit të tyre, nuk e respektojnë, prindi nuk dëgjon prej tyre veçse të keqen dhe nuk vëren në sytë e tyre veçse një pyetje, se kur do të lirohemi prej teje?Allahu kur e zbret bereqetin e përfshin çdo gjë: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, diturinë, kafshën, shtëpinë, mendjen, gjymtyrët, shokun, e shumë gjëra tjera, prandaj edhe kërkimi i tij bëhet shumë i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm.Parashtrohet pyetja se si të arrijmë deri tek bereqeti?Gjërat më kryesore që na e mundësojnë fitimin e bereqetit me lejen e Allahut janë:– Devotshmëria, e cila është çelësi i çdo të mire.Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka”. Earaf 96, dhe “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. Talak 2-3.Prej të parëve tanë kanë ardhur disa shprehje të cilat kanë sqaruar këtë fjalë, por të gjitha sillen rreth një kuptimi. E ajo është, që njeriu të kryej atë të cilën ia ka obliguar Allahu dhe të largohet nga ajo të cilën ia ka ndaluar Allahu, që të jetë kjo mbrojtje për njeriun nga dënimi i Allahut.Nga Aliu kanë ardhur transmetime, i cili e ka sqaruar kuptimin e devotshmërisë duke thënë: “Devotshmëri është frika prej Allahut, veprimi me Kuran, kënaqja me pak, dhe përgatitja për botën tjetër”.Po ashtu devotshmëria është definuar: “Të veprosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e Tij me një dritë prej Tij, dhe t’i lësh veprat e mosbindjes duke e patur frikë Allahun me një dritë prej Tij”.Disa janë ankuar tek një njeri i mirë se çmimet e mallrave janë rritur. Ka thënë: Zbritni ato me devotshmëri.– Leximi i Kuranit. Kurani është libër i bekuar, është shërim për zemrat e sëmura dhe ilaç i sëmundjeve të trupit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ky (Kuran)është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”.Sad 29. Pra, veprat e mira janë shkak i fitimit të mirësisë dhe bereqetit.– Duaja. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kërkonte bereqet në shumë gjëra. Një prej lutjeve që na mësoi është ajo për të martuarit, ku muslimani duhet të thotë: “Allahu të bekoftë ty edhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë ju të dy në të mirë”.Po ashtu na mësoi lutjen për atë që na gostit me ushqim: “O Zot bekoji në atë që i ke furnizuar, fali mëkatet e tyre dhe mëshirojë ata”.E shumë lutje tjera të dobishme për jetën dhe ahiretin e muslimanëve.– Korrektësia në shitblerje.Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Shitblerësit kanë të drejtë zgjedhjeje derisa s’janë ndarë. Si të kishin qenë korrektë në shitblerjen e tyre, Allahu do t’u zbret bereqet në atë tregti. Si ta kishin fsheh ndonjë mangësi të mallit ose ta kishin mashtruar njëri tjetrin, Allahu do ta largon bereqetin e asaj tregtie”.– Realizimi i veprave herët në mëngjes.Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, bëri lutje për bekim për ata që fillojnë të veprojnë herët në mëngjes.Sahr el Gamidij, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “O Allah, bekoje Umetin tim kur e nisin (një punë) herët”! Sahri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte tregtar dhe çdo herë i urdhëronte punëtorët e tij ta fillojnë punën herët në mëngjes, kështu që iu shtua pasuria aq shumë sa që nuk dinte ku ta deponojë.Një prej selefit thoshte: Çuditem me atë i cili e fal namazin e sabahut pas lindjes së diellit, se prej nga i vjen furnizimi?!– Pasimi i Sunetit në çdo çështje.Pasimi i Sunetit nuk sjell tjetër përveç se mirësi. Prej haditheve që flasin rreth saj e veçojmë: “Bereqeti zbret në mes të pjatës me ushqim e hani nga skajet e mos filloni nga mesi i saj”.Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti”.

Gazetari

Read Previous

7 gjëra që njerëzit e suksesshëm i thonë vetes çdo ditë

Read Next

Dashuri e vërtetë!